CAMAJ: MALI I ZI NË RRUGË TË FORTË DREJT BE-së, FORCIMI I INSTITUCIONEVE KYÇ PËR PËRPARIM

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka pritur një delegacion të organizatës “Lëvizja Evropiane e Danimarkës”, të udhëhequr nga Kenet Finsen, gjatë një vizite studimore në Mal të Zi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Camaj theksoi se Mali i Zi mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj rrugës evropiane, duke e cilësuar integrimin në BE si prioritet kryesor të politikës së jashtme dhe objektiv strategjik të shtetit.

Gjatë takimit u nënvizua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike, dialogut politik dhe reformave, si dhe roli i Kuvendit në këtë proces.

Po ashtu u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore si bazë për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në takim u diskutua edhe për potencialin e Malit të Zi si destinacion turistik, duke u vlerësuar pasuria e tij natyrore, trashëgimia kulturore dhe diversiteti shoqëror, të cilat përbëjnë një vlerë të rëndësishme për identitetin e vendit.

Palët shkëmbyen mendime edhe mbi procesin e integrimeve evropiane, sfidat aktuale politike dhe nevojën për thellim të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të BE-së dhe vendeve kandidate.

Kryesuesi i delegacionit, Kenet Finsen, e falënderoi Camajn për pritjen dhe theksoi rëndësinë e njohjes së drejtpërdrejtë me realitetin politik dhe procesin e reformave në Mal të Zi.

Në fund u konstatua se këto takime kontribuojnë në forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimit të vlerave evropiane, ndërsa delegacioni më pas vizitoi ndërtesën e Kuvendit të Malit të Zi.

SHARE