Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, tha se qeverisja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në dy vjetët e fundit, është veçuar me politikë arbitrare, antikushtetuese dhe varfëruese.
Ai i bëri këto komente teksa prezantoi një propozim-rezolutë për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.
Duke kritikuar punën e Qeverisë, Tahiri tha se ekzekutivi ka lënë pa udhëheqës dhe borde drejtuese disa prej agjencive më të rëndësishme të shtetit, përfshirë Trustin dhe Bankën Qendrore të Kosovës.
“Qeveria është arbitrare në vendimet që i ka marrë, në punësimet që i ka bërë – puro me kriter politik, partiak dhe nepotist”, theksoi Tahiri.
Kritika për Qeverinë pati edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili tha se për shkak të problemeve më të cilat po përballet Kosova, është rritur numri i qytetarëve që po migrojnë jashtë vendit.
Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, kritikoi Qeverinë për nivelin e lartë të importit nga Serbia.
Kurti: Zhvilluam ekonominë dhe forcuam sundimin e ligjit
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në dy vjetët e kaluara, Qeveria ka treguar sukses në zhvillimin ekonomik të vendit përfshirë rritjen e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës, reformën në drejtësi si dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Duke folur për ekonominë, kryeministri Kurti tha se janë rritur eksportet, pasi, sipas tij, “këtë vit do të kalohet vlera prej një miliard eurosh”.
Kjo, sipas kryeministrit, dëshmon gjallërinë e ekonomisë së Kosovës. Kurti tha se dy vjet është vetëm gjysma e mandatit, dhe se ende iu mbetet punë për të bërë, por siç tha ai, statistikat tregojnë se ka sukses të pamohueshëm.
Ndër të tjera, Kurti tha se është punuar në forcimin e rendit dhe ligjit, duke veçuar arrestimin e mbi 300 zyrtarëve të dyshuar për vepra të ndryshme penale.