FËMIJËVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA ZHVILLIMORE T’U OFROHET AKSES NË ARSIM

UNICEF-i dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave do të punojnë për të forcuar koordinimin ndërsektorial, i cili synon t’u sigurojë të gjithë fëmijëve me aftësi të kufizuara zhvillimore akses në arsim cilësor, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, tha kreu i zyrës përfaqësuese të UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander.

Ai këtë e tha në një takim me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka.

Në njoftimin për media të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, thuhet se në Mal të Zi vetëm 16 për qind e fëmijëve romë dhe egjiptianë ndjekin arsimin parashkollor, ndërsa vetëm 3 për qind e përfundojnë shkollën e mesme.

“Së bashku me ndërmjetësit, është gjithashtu e nevojshme të gjendet një zgjidhje efektive dhe e qëndrueshme për transportin falas në mënyrë që të rritet regjistrimi i fëmijëve romë dhe egjiptianë në sistemin arsimor. Kjo është thelbësore nëse duam të sigurojmë që si të rritur ata të kenë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të gjetur punë cilësore dhe për të thyer ciklin e varfërisë”, tha Santander.

Ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të suksesshëm ndërinstitucional në zbatimin e politikave kombëtare dhe se vlerëson shumë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare.

“Ne kemi një qëllim të përbashkët, kemi propozime për përmirësimin e gjendjes aktuale, janë dhënë udhëzime dhe për këtë nuk dyshoj që do të ketë rezultate pozitive të bashkëpunimit si ky”, tha Gjeka.

SHARE