Në Shqipëri po mbahet Kongresi i Parë i Shëndetësisë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, ndërsa në fokus të diskutimeve do të jenë disa çështje në lidhje me sektorin e shëndetësisë.
Pjesë e këtij kongresi janë drejtues dhe përfaqësues të ministrive të Shëndetësisë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende të tjera, ekspertë të shëndetësisë nga disa vende, ambasadorë, përfaqësues të organizmave kombëtare e ndërkombëtare, mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë të sistemit shëndetësor.
Në ceremoninë e hapjes në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në fjalën e tij theksoi se autonomia spitalore është një mekanizëm i ri që sipas tij do të krijojë më në fund mundësinë të ketë në sistemin shëndetësor paga më të mira.
“Besoj se sot kemi të gjitha arsyet të themi se kemi kapital njerëzor në fushën e shëndetësisë shumë më të qëndrueshëm, shumë më të mirëtrajtuar dhe padiskutim edhe shumë më me garanci për të sotmen dhe për të nesërmen. Ky kapital njerëzor ka nevojë për arsimimin, ka nevojë për edukim, ka nevojë për punësim sipas meritës dhe ka nevojë për kushte pune dhe për pagë dinjitoze”, tha Rama.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj theksoi se kanë si qëllim ndërtimin e një platforme interaktive komunikimi.
“Duam të shohim dhe vlerësojmë praktikat më të mira për shëndetin publik, parandalimin e sëmundjeve, aksesin në shërbim shëndetësor, problemet e shëndetit mendor, inovacionin, digjitalizimin. Duam të gjejmë qasjet e duhura përballë sfidave që po ndesh sot jo vetëm Shqipëria, por edhe rajoni dhe Evropa, si përshembull zhvillimet demografike, moshimi dhe mobiliteti i profesionistëve”, tha Manastirliu.
Kongresi dyditor organizohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë dhe ka mbledhur së bashku politikëbërësit, ekspertët shëndetësorë dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor, për të shkëmbyer përvoja dhe për t’u angazhuar në dialog mbi sfidat e sistemit shëndetësor në Shqipëri, sipas organizatorëve me qëllim rritjen e përkujdesit, cilësisë dhe inovacionit në ofrimin e kujdesit shëndetësor.