GJELOSHAJ: VETËM PËRMES NJË MARRËDHËNIEJE TË PËRGJEGJSHME DHE PUNËS SË PËRBASHKËT MUND TË BËHEN GJËRA TË MËDHA

Kryetari i komisionit komunal të regjistrimit, Nik Gjeloshaj, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” tha se me krenari konstaton se me punë dhe përkushtim të ndershëm dhe të pastër ia dolën të demokratizonin çdo proces politik e shoqëror në të cilin morën pjesë. 

“Unë si kryetar i komisionit komunal të regjistrimit, së bashku me ekipin tim, morëm të gjitha masat dhe siguruam që pjesëmarrja e regjistruesve të ishte në nivel të lartë, duke respektuar të gjitha procedurat moderne dhe që logoja të ishte në gjuhën shqipe, ndërsa mund të them gjithashtu se janë dhënë të gjitha udhëzimet ekipit që punon në terren. Siç u thamë regjistruesve në terren, duhet të jetë e regjistruar e gjithë popullata dhe se një familjar është i detyruar të japë të dhëna për të gjithë familjen, pavarësisht se ku ndodhen për momentin. Që të gjithë të regjistrohemi rregullisht dhe saktë, kudo që jemi, duke respektuar të gjitha standardet dhe procedurat evropiane,” theksoi Gjeloshaj. 

Ai më tej shton se vetëm përmes një marrëdhënieje të përgjegjshme dhe punës së përbashkët mund të bëhen gjëra të mëdha për të mirën e të gjithëve. 

“Kohë për rregjistrim ka mjaftueshëm, nëse vlerësohet se nuk mjaftojnë 15 ditë, do të shtyhet dhe gjithë kohën do të mund të përciellet situata dhe mund të intervenohet nëse dikush mbet i parregjistruar,” përfundoi Gjeloshaj. 

SHARE