GOOGLE ÇAKTIVIZON AUTOMATIKISHT INTELIGJENCËN ARTIFICIALE PËR NXËNËSIT

Kompania Google ka vendosur që mjetet e inteligjencës artificiale, përfshirë Gemini dhe funksionet e integruara në Google Classroom, të jenë të çaktivizuara si parazgjedhje për nxënësit e arsimit parauniversitar.

Vendimi vjen pas kritikave në SHBA për ndikimin e inteligjencës artificiale në procesin mësimor dhe shqetësimeve se nxënësit mund ta përdorin këtë teknologji për të anashkaluar të nxënit.

Fillimisht, masa do të zbatohet në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në nivel global. Administratorët e shkollave do të kenë përgjegjësinë të vendosin nëse do t’ua lejojnë nxënësve përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale.

Megjithatë, vendimi ka shkaktuar debat, pasi shkollat që zgjedhin t’i ndalojnë funksionet e AI-së nuk do të mund t’u ofrojnë nxënësve as motorin e kërkimit Google Search përmes llogarive shkollore, për shkak të integrimit të funksioneve të inteligjencës artificiale.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka kritikuar kompaninë, duke e akuzuar se po përdor pozitën e saj dominuese për të imponuar teknologjinë në shkollat publike.

Ndërkohë, më shumë se 150 milionë nxënës në mbarë botën përdorin Google Classroom.

Kompania ka mbrojtur vendimin, duke theksuar se synimi është t’u japë shkollave më shumë kontroll mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim.

SHARE