Supa e Artë me Lulelakër dhe Turmerik

Në ditët e ftohta një supër e ngrohtë është zgjidhja e përkryer për të kaluar një vakt.

Gjithashtu është edhe një zgjedhje shumë e shëndetëshme që mund të kthehet edhe në një ushqim shumë të dashur të përditëshëm.

AgroWeb.org në këtë recetë ju tregon një recetë shumë të thjeshtë dhe të shijshme të përgatitjes së supës.

Quhet supa e artë dhe është po aq e shijshme dhe me vlera sa ka edhe emrin.

Kjo supë ju ndihmon në reduktimin e inflamacionit, funksionon si një antioksidant shumë i mirë si për fytyrën ashtu edhe organizmin.

Më poshtë ndiqni hap pas hapi përgatitjen e saktë të kësaj supe të mrekullueshme.

Përbërësit

  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • gjysme qepe e grirë
  • 1 thelpinj hudhër
  • 1 lulelakër mesatare
  • 120 gr arra
  • 1 lugë gjelle turmerik
  • 4 gota ujë
  • 2 lugë çaji kripë
  • gjysmë limoni i shtrydhur
  • piper i zi

Përgatitja

Në një tenxhere hidhni vajin e ullirit qepën e grirë, hudhrën, lulelakrën, arrat dhe turmerikun.

Turmeriku është një pluhur i verdhë me origjinë indiane të cilin e gjeni lehtësisht në supermarkete.

Më pas ziejini të gjithë këto përbërës për 10 minuta, derisa të fillojnë të lëshojnë aromë të fortë.

Shtoni gotat e ujit, filloni së pari më 4 gota duke i përzier ngadalë.

Hidhni kripën sipas dëshirës dhe vazhdoni t’a përzieni supën ngadalë derisa të jenë zbutur të gjithë përbërësit.

Bëni gati mikserin dhe hidheni të gjithë supën brenda duke e përzier derisa të shikoni që keni fitur një masë kremoze dhe kompakte.

Kthejeni sërisht supën tek tenxherja e mëparëshme ku mund të shtoni sipas dëshirës për t’a holluar supën edhe 2-3 gota të tjera uji.

Zijeni edhe për pak minuta duke e përzier ngadalë dhe supa juaj është gati.

Shërbejeni sipas dëshirës duke i shtuar pak lëng limoni, piper të zi, majdanoz apo vaj ulliri./AgroWeb.org

SHARE