PAKETA E 8 E SANSKIONEVE, BE BIE DAKORD PËR NJË ÇMIM TAVAN TË NAFTËS RUSE

Ambasadorët e BE-së arritën një marrëveshje për sanksionet e reja për të goditur luftën e Vladimir Putin në Ukrainë, duke përfshirë një çmim tavan për shitjet e naftës ruse, sipas shtatë diplomatëve evropianë. Paketa, e cila është raundi i 8-të kundër Moskës, u propozua nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen javën e kaluar , pasi presidenti rus kërcënoi se do të përdorte armë bërthamore dhe mobilizoi qindra mijëra rezervistë. Një ndalim për shumicën e importeve të naftës së papërpunuar nga Rusia do të hyjë në fuqi në dhjetor dhe plani i fundit i sanksioneve bazohet në këto masa. Importet e qymyrit tashmë janë hequr dhe furnizimet me gaz nga Rusia në Evropë janë ndërprerë. Për liderët evropianë, detyra ka qenë gjetja e mënyrave të reja për të synuar goditjen e të ardhurave të Moskës . Projekt-masat parashikojnë bazën ligjore të kufirit të çmimit, i cili ishte rënë dakord më parë nga vendet e G7. Nuk ka ende një vendim për çmimin aktual, ose gamën e çmimeve, të kufirit të ardhshëm, megjithëse SHBA ka sugjeruar se kjo do të vijë brenda javësh. Paketa synon gjithashtu të godasë industrinë ruse të çelikut dhe të privojë ushtrinë e Kremlinit nga teknologjitë kryesore. Ajo përfshin më shumë masa kundër individëve që ndihmojnë përpjekjet luftarake të presidentit rus Vladimir Putin, si dhe ndalon shtetasit e BE-së të ulen në bordet drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore ruse.

SHARE