DIGJET SËRISH KURANI: PËRLESHJE TË DHUNSHME NË SUEDI

Një tjetër protestues kundër Islamit dogji një kopje të Kuranit në Suedi, e këtë radhë, situata nuk vonoi të përflakej.

Përleshje të dhunshme shpërthyen në një lagje emigrantësh në qytetin e tretë më të madh të vendit. Protestuesit qëlluan me gurë forcat e rendit në Malmo e i vunë flakën disa makinave si dhe një garazhi nëntokësor. Policia foli për trazira të dhunshme. Përplasjet nisën kur aktivisti Salwan Momika dogji kopjen e Kuranit të dielën dhe një grup i zemëruar njerëzish u përpoq ta ndalte. Të paktën tre persona u arrestuan. Ditën tjetër, protestues kryesisht të rinj dolën nëpër rrugë e dogjën goma makinash dhe kosha mbeturinash, ndërsa të tjerë rrëzuan skuterët elektrikë dhe vunë barriera në lagjen Rosengard të Malmos, ka pasur situate të tilla edhe në të shkuarën. Aty u shpalosën edhe banorë që dënonin djegien e Kuranit.

“E kuptoj se një tubim publik si ky ngjall emocione të forta, por ne nuk mund t’i tolerojmë sjelljet e dhunshme dhe çrregullimet si ato që i pamë të dielën pasdite”, tha oficerja e lartë e policisë, Petra Stenkula.

“Është për të ardhur keq që shohim përsëri dhunë e vandalizëm në Rosengard”, shtoi ajo. Disa javë më parë, edhe një refugjat irakian përdhosi kopjet e Kuranit në një varg protestash kundër islamit, kryesisht në Stokholm. 

Policia suedeze i lejoi veprimet e tij, duke i argumentuar me lirinë e shprehjes. Djegia e Kuranit ka nxitur protesta të ashpra në vendet myslimane, sulme ndaj misioneve diplomatike të Suedisë dhe kërcënime nga ekstremistët islamik.

SHARE