BËRNABIQ NË MITROVICËN E VERIUT: INTERES I SERBISË ËSHTË PAQJA

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nga Mitrovica e Veriut, ku qëndroi për vizitë, dëshiron të përçojë mesazhe të paqes, stabilitetit dhe tolerancës. Ajo tha se autoritetet nga Serbia, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, do të jenë gjithmonë me komunitetin serb në Kosovë dhe shtoi se është e lumtur që ndodhet në Kosovë “në një moment kaq të vështirë”. “Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interes i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti”, tha Bërnabiq. Kryeministrja e Serbisë shtoi se vendi i saj do të vazhdojë të luftojë për popullin serb në Kosovë, në mënyrë që përmirësimi i kushteve të jetesës të shihet në terren. Ajo theksoi se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tha se një gjë të tillë do ta përsërisë kudo që të shkojë – nga Mitrovica në Bruksel e Pekin. “Në këtë do të vazhdojmë të këmbëngulim çdo ditë”, tha Bërnabiq. Ajo tha se shpreson se autoritetet e Kosovës do të jenë të përkushtuara ndaj dialogut dhe “gjetjes së një kompromisi”, i cili, sipas saj, “do të jetë i nevojshëm për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”. “Kjo është ajo që na duhet, jo për shkak të integrimit evropian, por për shkak të vetvetes, për shkak të asaj që duam me gjithë zemër, që është paqja dhe stabiliteti afatgjatë”, tha Bërnabiq. Ajo vazhdoi vizitën në Manastirin Banjska në Zveçan, ku tha se “nuk ka bisedime të mëtejshme pa formimin e Asociacionit”, sepse, sipas saj, ai “është baza për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve”.

SHARE