KOSOVA DHE SERBIA NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJE NË SHTËPINË E BARDHË

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Serbia dhe Kosova ranë dakort që të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike, duke e cilësuar këtë si “një tjetër angazhim historik”, thuhet në deklaratën për shtyp të Presidentit Trump pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe vitesh negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer ndarjen”, thuhet në deklaratën e presidentit Trump. “Duke u përqëndruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik për një gamë të gjerë çështjesh”.

Presidenti Trump tha se me këtë marrëveshje është bërë gjithashtu përparim shtesë në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme. Kosova dhe Izraeli kanë rënë dakord për normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e lidhjeve diplomatike. Serbia është zotuar të hapë një zyrë tregtare në Jeruzalem këtë muaj dhe të zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem deri në korrik.

“Është dashur një trimëri e jashtëzakonshme nga Presidenti Vuçiq i Serbisë dhe Kryeministri Hoti i Kosovës për të filluar këto bisedime dhe për të ardhur në Uashington për të finalizuar këto angazhime”, thuhet në deklaratën e presidentit Trump. “Në këtë mënyrë, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurtë. Unë pres që të shoh Serbinë dhe Kosovën të përparojnë ndërsa ne punojmë së bashku për bashkëpunimin ekonomik në rajon në të ardhmen”, përfundon deklarata.

“Serbia dhe Kosova janë përkushtuar për normalizimin ekonomik”, tha presidenti Trump duke theksuar se “është një hap i madh përpara për të vendosur përparimin dhe paqen në Ballkan dhe në botë”.

Ai tha gjatë ceremonisë së nënshkrimit në zyrën ovale se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar të vendosin marrëdhënieve diplomatike, ndërsa Serbia është zotuar ta lëvizë ambasadën e saj në Jerusalem.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se marrëveshja me Serbinë është një hap i madh që duhet të çojë në njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se ka ende shumë dallime ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por ky është një hap i madh përpara.

SHARE