BE AKORDON 100 MILIONË EURO PËR SHQIPËRINË

Bashkimi Evropian do të financojë Shqipërinë me 100 milionë euro gjatë periudhës 2025–2027, në kuadër të një programi të gjerë bashkëpunimi që synon zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e reformave.

Një nga prioritetet kryesore të programit është zhvillimi i sektorit të lëndëve të para kritike, të rëndësishme për tranzicionin e gjelbër dhe industrinë evropiane.

Projekti parashikon ngritjen e një qendre kërkimore, përmirësimin e të dhënave gjeologjike, mbështetjen e inovacionit në sektorin minerar, si dhe promovimin e riciklimit dhe ripërdorimit të mbetjeve minerare në përputhje me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.

Një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të përdoret edhe për forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e transparencës në administrimin e financave publike, mbështetjen e lirisë së medias, përmirësimin e qasjes në drejtësi, si dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore.

Programi synon gjithashtu të rrisë përfshirjen e grave në sektorë ku ato janë më pak të përfaqësuara, si industria minerare. Marrëveshja përfshin edhe vazhdimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për reformën në drejtësi dhe procesin e vetingut përmes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Programi do të zbatohet për një periudhë deri në 72 muaj, ndërsa fondet do të shpërndahen në këste vjetore dhe do të monitorohen përmes mekanizmave të rreptë të auditimit dhe kontrollit, me qëllim garantimin e transparencës dhe përdorimit efikas të tyre.

SHARE