MBROJTJA E TË DREJTAVE TË NJERIUT DHE TË PAKICAVE ËSHTË THELBËSORE

Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të pakicave është thelbësore për Malin e Zi dhe Kosovën, sepse duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, u theksua në takimin e ministrit për të drejtat e njeriut dhe të pakicave Fatmir Gjeka dhe zëvendëskryeministres për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në Qeverinë e Kosovës Emilije Rexhepi.  Siç njoftoi Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, në takim u shkëmbyen mendime nga disa fusha, me theks të veçantë në përmirësimin e të drejtave të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera kombëtare pakicë, duke pasur parasysh mekanizmat kyç të kontrollit në zbatimin dhe realizimin e tyre në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, si arsimi, punësimi, informimi dhe përfaqësimi në autoritetet shtetërore. “Mes tjerash është biseduar për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe hapjen e pikës kufitare mbi Çakor, dhe lidhjen e Deçanit me Plavën, për hir të interesit të përbashkët të qytetarëve,“ thuhet në njoftim. Për periudhën e ardhshme, siç është paralajmëruar, janë dakorduar takime më të rregullta me qëllim të realizimit të aktiviteteve të planifikuara dhe vendosjes së marrëdhënieve më domethënëse bilaterale ndërmjet komuniteteve pakicë të dy vendeve. 

SHARE