Bamjet, perimet shumë të dashura të stinës së verës janë një vakt shumë i shijshëm për të kaluar ditën.
Të pasura me vitaminë D, për të cilën trupi ka shumë nevojë, bamjet përveç shijes ju dhurojnë dhe plot vlera.
Nëse doni një vakt të lehtë që nuk ju shton në peshë, AgroWeb.org ju sugjeron të provoni bamjet me oriz në furrë.
Kjo recetë do t’ju kënaqë me shijen e mirë gjithashtu edhe do t’ju ngopë në vlera dhe shëndet.
Përveçse në verë, këto perime te mrekullueshme mund t’i shijoni edhe në dimër pasi t’i keni ngrirë në frigorifer.
Ndiqeni më poshtë recetën e saktë të përgatitjes së kësaj tave sipas këshillave të AgroWeb.org.
Përbërësit
1 l lëng mishi (këshillohet pule)
500 gr oriz
350 gr bamje
2 thelpinj hudhër
2 lugë gjelle gjalpë ose vaj
1 qepë
2 speca jeshil ose i kuq
2 domate
2 shkopinj selinoje
1 tufë majdanoz
piper i zi ose i kuq
kripë
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të ngrohni furrën në temperaturën 180 gradë C.
Më pas në një tigan të thellë, hidhni pak vaj ose gjalpë dhe lëreni të nxehet në temperaturë mesatare.
Shtoni po aty të skuqen, qepën e grirë hollë dhe shkopinjtë e selinos dhe specat të prera në copa të vogla.
Kur këto perime të kenë filluar të marrin ngjyrë dhe të jenë zbutur, shtoni edhe dy thelpinjtë e hudhrës së grirë imët.
Lërini në zjarr edhe për 1 minutë duke i përzier herë pas here dhe më pas hiqeni tiganin nga zjarri.
Ndërkohë përgatisni një tavë mesatare dhe të thellë pjekje rreth 20-25 cm.
Hidhni me kujdes tek tava lëngun e mishit, orizin, domatet e prera në copa të vogla, majdanozin e grirë dhe bamjet e prera në radhë.
Në fund shtoni edhe specat, selinonë dhe qepën që skuqet më parë tek tigani duke i përzier mirë me të gjithë përbërësit.
Për këtë recetë sipas dëshirës ju mund të përdorni edhe bamje të ngrira, gjatë stinës së dimrit kur këto perime nuk gjenden në treg.
Shtoni pak kripë, piper të zi ose të kuq dhe futeni tavën tuaj të piqet për 30-40 minuta në temperaturën 180 gradë C.
Kontrollojeni tavën herë pas here, derisa që të shikoni që lëngu i mishit është thithur plotësisht nga orizi dhe ai është zbutur mjaftueshëm.
Kur të jetë gati, nxirreni nga furra dhe shërbejeni orizin e ngrohtë bashkë me të gjitha perimet e tjera.
Sipas dëshirës mund ta shoqëroni me pak mish pule apo fileto./