KQZ: PËRGATITJET PËR ZGJEDHJET E PARAKOHSHME PO ZHVILLOHEN SIPAS PLANIT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës po zhvillohen sipas planifikimeve, ndërsa procesi logjistik dhe administrativ është në fazën përfundimtare.

Në mbledhjen e radhës së KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, prezantoi raportin mbi ecurinë e përgatitjeve për ditën e zgjedhjeve.

“Deri më tani janë funksionalizuar 30 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa tetë të tjera pritet të përfundojnë gjatë ditës së sotme. Po ashtu, ka vazhduar edhe trajnimi i ekipeve të numërimit”, tha Buzhala.

Sipas tij, janë transportuar pajisjet e teknologjisë informative, përfshirë kamerat për vendvotime, kompjuterët, monitorët dhe pajisje të tjera mbështetëse.

Gjithashtu, janë pranuar dhe kontrolluar të gjitha format dhe formularët zgjedhorë, ndërsa shpërndarja e tyre nëpër komuna pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Buzhala njoftoi se materialet e ndjeshme zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat, do të shpërndahen në komunat e Kosovës më 6 qershor nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Duke folur për votimin jashtë vendit, ai tha se materialet zgjedhore për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike janë pranuar dhe ruajtur sipas procedurave.

SHARE