DIALOGU KOSOVË-SERBI, NË UDHËKRYQ / BE KËRKON OPSIONE PAS LARGIMIT TË LAJÇAKUT

Bashkimi Evropian po shqyrton cfarë rruge do të ndjekë për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kandidatët e mundshëm për ta ndërmjetësuar atë.

Që kur u konfirmua se përfaqësuesi aktual i BE-së në këtë dialog, Mirosllav Lajçak, u emërua ambasador i BE-së në Zvicër, me mandatin që i fillon më 1 shtator, kanë nisur edhe spekulimet se kush do të jetë pasardhës i tij.

Por, burimet diplomatike në BE thonë për Radion Evropa e Lirë se “më e rëndësishme se kush do të jetë në këtë post, është se çfarë qëndrimi do të mbajë BE dhe strukturat e reja të bllokut, që do të dalin pas zgjedhjeve evropiane, ndaj këtij procesi”.

Sipas burimeve, edhe zgjedhja e pasardhësit të Lajçakut, është e lidhur me zgjedhjet evropiane, që do të mbahen këtë verë.

Këto burime thonë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, nuk do të jetë ai që do ta emërojë pasardhësin e Lajçakut në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun, por se kjo do t’i lihet shefit apo shefes së ardhshme të politikës së jashtme të BE-së.

Emërimi i përfaqësuesit të lartë është një proces që mund të zgjasë, sepse lidhet me emërimet në postet e tjera udhëheqëse të BE-së, për të cilat duhet të ketë një balancë mes grupimeve partiake në BE dhe mes vendeve anëtare.

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen nga data 6 deri më 9 qershor, udhëheqësit e vendeve anëtare do të tentojnë të bien dakord për emërimin e presidentit të Komisionit Evropian e më pas edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë.

Për këtë qëllim, BE do të mbajë dy samite, një të jashtëzakonshëm më 17 qershor dhe një formal më 27 dhe 28 qershor. Qëllimi është që të arrihet dakordësia para fundit të qershorit.

Kjo do ti mundësonte parlamentit evropian konfirmimin e emërimeve në korrik.

Në të kundërt, do të duhet të priten seancat e vjeshtës dhe kjo do të shkaktonte vonesa.

Si rrjedhojë, vetëm pasi të konfirmohet se kush është përfaqësuesi i ri i lartë i BE-së do të mund të zgjidhet pasardhësi i lajcakut si ndërmjetës i dialogut.

Në rastin më të mirë kjo do të ndodhë gjatë verës, në të kundërt duhet pritur më shumë. Mes emrave të përfolur deri më tani është edhe ai i ish presidentit slloven, Borut Pahor. Por, duket se BE po kërkon një profil tjetër politikani.

Emra të tjerë të përmendur janë edhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Havisto, dhe diplomati danez, Peter Sorensen, të cilët kanë përvojë me rajonin e ballkanit perëndimor.

Por kushdo që do ta marrë këtë post, ka para vetes një punë të vështirë pasi dialogu duket se ka ngecur prej kohësh në vend.

SHARE