SHKARKOHET DREJTORESHA E QENDRËS SË PROVIMEVE DHE KËSHILLI DREJTUES

Drejtoresha e Qendrës së Provimeve, Dragana Dmitroviq dhe Bordi i Drejtorëve të Qendrës së Provimeve janë shkarkuar në një seancë telefonike të Qeverisë.

Shkarkimi ka ardhur me kërkesë të ministrit të Arsimit, Miomir Vojinoviq dhe pasi qindra maturantë kanë marrë zero pikë në provimin e gjuhës amtare.

Millosh Triviq, ish-këshilltar i pavarur në Ministrinë e Arsimit, u emërua ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Provimeve. Gjithashtu u emërua Bordi i përkohshëm menaxhues.

Ata janë urdhëruar që brenda dy ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të lartëpërmendur, të riekzaminojnë testet e nxënësve të cilët nuk e kanë dhënë provimin.

Të premten, një grup maturantësh kanë protestuar me prindërit përpara Qendrës së Provimeve dhe Ministrisë së Arsimit, duke protestuar se nuk kanë kaluar provimet në gjuhën amtare në kuadër të vlerësimit të njohurive të jashtme.

533 prej tyre kanë marrë zero pikë për shkak të gjoja kopjimit, e mes tyre ka edhe pishtarë dhe nxënës të gjeneratës.

Pas kësaj, Ministria e Arsimit i rekomandoi Qendrës së Provimeve të Malit të Zi që komisioni për vlerësimin e testeve në gjuhën amtare për maturantët të rivlerësojë testet.

Komisioni i vlerësimit të maturës/provimit profesional njoftoi dje se nuk ka mundësi ligjore për të rivlerësuar testet tashmë të notuara dhe propozon rimarrjen e tyre në afatin e jashtëzakonshëm të qershorit.

SHARE