LAJÇAK KËRKON ZBATIMIN E MARRËVESHJES BAZIKE KOSOVË-SERBI

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se duan më shumë përparim në zbatimin e Marrëveshjes Bazike e cila ka bërë një vjet nga nënshkrimi nga të dyja palët Kosovë-Serbi dhe se një gjë e tillë është në interes të të gjithëve.

Lajçak pas takimit që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, në një deklarim për media tha se me Bislimin diskutuan për një sërë çështjesh, ndër to edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi si dhe Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që lidhet me dinarin serb.

Emisari Lajçak tha se BE-ja do më shumë përparim në zbatimin e Marrëveshjes Bazike.

“Dokumenti është ligjërisht i obligueshëm në tërësinë e tij, por është bërë një vit prej kur e kemi arritur këtë dokument dhe do të donim të shihnim zbatim më të mirë të tij dhe kjo ishte një nga çështjet që diskutuam: si të fillojmë me zbatim të shpejtë të kësaj marrëveshjeje dhe çështja e dytë që e kemi diskutuar e që është po ashtu e rëndësishme është rregullorja e fundit e BQK-së për pagesa në kesh dhe arsyeja pse po e diskutojmë atë janë disa dispozita të caktuara në këtë diskutim që janë relevante për dialogun dhe është shumë e rëndësishme që e kemi diskutuar”, tha Lajçak.

Ai thekson se kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që mund të siguronin Kosova dhe Serbia dhe se nëse “do të kishte marrëveshje më të mirë, ajo veçse do të ishte propozuar deri më tani”. Lajçak shtoi se është duke planifikuar që në ditët në vijim të mbajë takim mes kryenegociatorëve të dialogut.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit pas këtij takimi, u tha se lidhur me avancimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike, zv/kryeministri Bislimi ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve.

Bislimi kërkoi në këtë takim heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga BE-ja duke thënë se “ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre”. Duke folur rreth rregullores së BQK-së e cila ndalon operimin me dinarin serb në Kosovë, ai tha se kjo çështje nuk është pjesë e procesit të dialogut dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve.

SHARE