Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka bërë të ditur se po plotësohen kushtet për zbatimin e pjesës së dytë të programit „Evropa Tani 2“.
Spajiq, siç raporton Portali RTMZ, në një intervistë për Televizionin e Malit të Zi në pritje të 100 ditëve të punës së Qeverisë, flet për rezultatet e arritura nga Qeveria në tre muajt e kaluar, rikonstrukcionin e Qeverisë, si dhe çfarë do të ndodhë me programin „Evropa Tani 2“.
Ai po ashtu tha se rikonstrukcioni i Qeverisë është çështje politike që patjetër do të ndodhë.
Spajiq theksoi se sheh shumë rezultate të Qeverisë së 44-të të Malit të Zi dhe se më e rëndësishmja është që institucionet funksionuan.
“Ne po shohim shumë rezultate, është e rëndësishme që „Evropa Tani 2“ ka filluar dhe që po plotësohen kushtet për zbatim jo vetëm për pensionistët që do të ndjejnë rritje të pensioneve nga 13 shkurti, por po përgatisim edhe një pjesë tjetër të „Evropa Tani 2“. Mendoj se disa kushte janë plotësuar”, ka thënë Spajiq.
Kur u pyet nëse programi për „Evropa Tani 2“ ekziston tani në formë të shkruar, Spajiq tha se u pëlqen fakti që shumë njerëz i nënvlerësojnë sepse atëherë jepen rezultate më të mira.
“Është e qartë se „Evropa Tani 2“ do të ndodhë brenda kornizës kohore të përcaktuar. Ne po flasim për pagën mesatare dhe minimale, më pak ngarkesë pune,” tha Spajiq.