PISONERO: AKTORËT POLITIKË DUHET TË SIGUROJNË FUNKSIONALITETIN E INSTITUCIONEVE

Për përparimin në anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), që është dëshira e shumicës dërrmuese të qytetarëve malazezë, të gjithë aktorët politikë duhet të mbështesin stabilitetin dhe funksionalitetin e institucioneve demokratike, tha në një deklaratë për Antena M zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE), Ana Pisonero. “Dhe posaçërisht Gjykata Kushtetuese. Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është çelësi për të garantuar respektimin e të drejtave themelore të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe ruajtjen e stabilitetit të institucioneve”, tha ajo. Zëdhënësja e KE shtoi se vizita e fundit e përfaqësuesve të BE-së dërgoi një mesazh të qartë. “Në fund të dhjetorit, ministrat e punëve të jashtme të Austrisë dhe Sllovenisë udhëtuan në Mal të Zi në emër të Përfaqësuesit të Lartë Joseph Borell për të përcjellë urgjencën e rivendosjes së stabilitetit dhe funksionalitetit të institucioneve demokratike,” rikujtoi Pisonero. Në fund ajo ka theksuar qëndrimin e mëhershëm të BE-së, se ndryshimet në Ligjin për Presidentin janë në kundërshtim me mendimin e Komisionit të Venecias.

SHARE