PRESIDENTI MILLATOVIQ, VIZITË ZYRTARE NË BRUKSEL

Foto: Kabineti i Presidentit të Malit të Zi / Kabinet Predsjednika Crne Gore

Presidenti i Malit të Zi ndodhet në Bruksel ku pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka takuar Komisioneren e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Presidenti Millatoviq shprehu kënaqësinë e tij të veçantë që në Komisioneren për Zgjerim kemi një njohës të mirë të situatës në Ballkanin Perëndimor.

Synimi i përbashkët është që Mali i Zi, si vendi më i avancuar kandidat për anëtarësim, të realizojë së shpejti synimin kryesor të politikës së jashtme dhe të bëhet një shtet anëtar i plotë i BE-së.

Kos theksoi Malin e Zi si shtetin më të avancuar nga vendet kandidate, duke shtuar se ka shumë gjasa që ajo të vizitojë vendin tonë deri në fund të vitit.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka takuar në Bruksel presidentin e sapoemëruar të Këshillit Evropian, ish-kryeministrin e Portugalisë, Antonio Kosta.

Pas takimit, Millatoviq theksoi se takimet me liderët evropianë vijnë vetëm tre ditë pas marrjes së detyrës, gjë që tregon përkushtimin e fortë të lidershipit të ri evropian ndaj Malit të Zi, por edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Unë mendoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm që sjell nga Brukseli. Ky është një mesazh që duhet marrë shumë seriozisht edhe në Mal të Zi dhe këtu dua të them se pres, si President i Shtetit të Malit të Zi, që Qeveria e Malit të Zi t’i qaset integrimit evropian në të njëjtën mënyrë të përkushtuar”, tha Millatoviq.

SHARE