Një e ardhme më e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të përbashkët të të gjitha vendeve, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duke shtuar se një tranzicion i drejtë dhe fer në një ekonomi të gjelbër është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve të Emirateve me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP28) në Dubai, ai tha se të gjithë duhet të punojnë së bashku për të luftuar për një të ardhme më të qëndrueshme.
“Në këtë kuptim, pritjet që kisha nga konferenca COP28 janë përmbushur”, tha Millatoviq.
Ai deklaroi se gjërat mund të jenë gjithmonë më ambicioze.
“Ne mbështesim pikëpamjet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara se duhet të punojmë për eliminimin e plotë të lëndëve djegëse fosile nga përdorimi, sigurisht përmes një qasjeje me faza, ndaj është e nevojshme jo vetëm të reduktohet përdorimi i tyre, por të nxirren plotësisht jashtë përdorimit”, ka shtuar Millatoviq.
Ai tha se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) ishin një mikpritës i madh i konferencës COP28.
“Konferenca ishte shumë e suksesshme, para së gjithash për shkak të arritjes së madhe në ditën e parë të themelimit të Fondit për Dëmet dhe Humbjet, në kuadër të të cilit vendet e zhvilluara do të japin kontribute për mirëqenien e vendeve në zhvillim, të cilat janë më të prekura nga ndryshimet klimatike”, tha presidenti i Malit të Zi.
Ai e konsideron këtë si arritjen kryesore të ngjarjes.
“Vizioni i liderëve të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përpjekjet e tyre për realizimin e këtij vizioni ishin domethënëse dhe dua t’i përgëzoj për atë që bënë në emër të të gjithë neve”, tha Millatoviq.