IZRAELI ‘I VË FLAKËN’ GAZAS / ZGJERON OFENSIVËN KUNDËR HAMASIT, SËRISH VIKTIMA CIVILE

Izraeli zgjeroi të hënën ofensivën kundër militantëve të Hamasit, në Gazën e rrethuar ndërsa shqetësimi ndërkombëtar u thellua lidhur me numrin në rritje të viktimave civile në luftën që nisi nga sulmet e 7 tetorit.

Që nga përfundimi i armëpushimit të premten, luftimet në Gaza kanë rifilluar mes grupit radikal Hamas dhe trupave izraelite që avancojnë, ashtu si edhe lëshimet e raketave të militantëve drejt Izraelit dhe sulmet ajrore të Izraelit në territorin palestinez.

Gjatë fundjavës, sulmet ajrore izraelite në Gazën veriore ngritën në qiell re të dendura tymi dhe pluhuri.

Të dielën, ushtria izraelite raportoi për disa raketa të lëshuara nga Gaza në Izrael, duke shtuar se shumica ishin rrëzuar. Qeveria e drejtuar nga Hamasi në Gaza dhe agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Ëafa thanë se një sulm kishte goditur hyrjen e spitalit Kamal Aduan në veri të territorit të dielën vonë.

Disa njerëz u vranë në sulm ndërsa Hamasi akuzoi Izraelin në Telegram për një “shkelje të rëndë” të ligjit humanitar. Izraeli thotë se Hamasi përdor spitalet dhe infrastrukturën tjetër civile për qëllime ushtarake, një akuzë që grupi militant e mohon.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit vazhdojnë të zgjerojnë operacionin tokësor kundër fronteve kryesore të Hamasit, në Rripin e Gazës”, tha të dielën zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

“Kudo ku ka një bastion të Hamasit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit veprojnë,” tha ai.

Të dielën, ushtria izraelite tha se kishte kryer rreth 10.000 sulme ajrore që nga fillimi i luftës.

SHARE