Çdo iniciativë që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës është legjitime, tha presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq dhe shtoi se kësaj teme duhet t’i qasemi me qëllim që të mbyllet qartë rruga evropiane e Malit të Zi.
Duke komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq për idenë e krijimit të një Kuvendi Kushtetues, tha se i duket se është ende në shqyrtim.
“Çdo iniciativë kur bëhet fjalë për ndryshimin e Kushtetutës është legjitime, ajo patjetër do të duhet të bëhet në kontekstin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian (BE)”, tha Millatoviq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas konferencës me rastin e 60-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti i Malit të Zi tha se nuk ka dilemë që çdo iniciativë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
“Të gjithë aktorët politikë duhet t’i qasen kësaj teme në mënyrë që të arrihet një kohezion edhe më i madh social dhe një fund i qartë i rrugës sonë në BE. Dua të bëj thirrje për një qasje serioze ndaj kësaj teme me mirëbesim dhe me përkushtim më të madh, që është shtetësia e Malit të Zi. Nuk do të doja që asnjë subjekt politik t’i qaset duke zbatuar agjendën politike të dikujt tjetër”, tha Millatoviq.
I pyetur për negociatat për formimin e qeverisë në kryeqytet, Millatoviq tha se Lëvizja për Podgoricën është duke punuar në një platformë negociuese dhe së shpejti do ta prezantojë para opinionit.
“Unë ia lë të gjitha një procesi të ardhshëm. Unë nuk do ta shtjelloja mëtutje. Ju e dini që unë kam mbështetur listën qytetare të kryesuar nga Luka Rakçeviq. Ai dhe kolegët e tij do ta informojnë publikun në kohën e duhur për të gjitha hapat e ardhshëm”, tha Millatoviq.