30 DITË PARABURGIM PËR TRI ISH-INFERMIERET QË SULMUAN TË MOSHUARËN NË PEJË

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar 30 ditë paraburgim tri ish-infermiereve A.P, A.R dhe R.K për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale sulmi. Masa e paraburgimit tri të pandehurave iu është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë që konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende. Andaj, bazuar në këto rrethana gjykata ka arritur në përfundim se në këtë fazë të procedurës është i nevojshëm caktimi i masës së paraburgimit për të tri të pandehurat me qëllim të pengimit të përsëritjes së veprës penale, kryerjes së ndonjë vepre të re penale apo ndikimit në dëshmitar. Bëhet e ditur se Gjykata ka vlerësuar edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurave, mirëpo gjeti se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

SHARE