Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi ka shpallur Ligjin për konfiskimin e pasurisë së përfituar nga veprimtaria kriminale, i cili ishte miratuar më herët nga Kuvendi i Malit të Zi.
Nga Kabineti i Presidentit është vlerësuar se hyrja në fuqi e këtij ligji përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas Presidencës, lufta kundër kriminalitetit nuk duhet të kufizohet vetëm në ndëshkimin penal të autorëve, por duhet të përfshijë edhe konfiskimin efikas të pasurisë së krijuar përmes aktiviteteve kriminale.
Qëllimi është që të dërgohet një mesazh i qartë se krimi nuk mund të sjellë përfitime dhe se shteti do të ndërhyjë për t’i konfiskuar të ardhurat e paligjshme.
Nga Kabineti i Presidentit theksohet se kjo çështje ka rëndësi të veçantë edhe për procesin e integrimit evropian të Malit të Zi, i cili ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave me Bashkimin Evropian.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar konsiderohet një nga prioritetet kryesore në përmbushjen e standardeve evropiane dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.
Presidenca vlerëson se miratimi i ligjit tregon përkushtimin e Malit të Zi për mbrojtjen e interesit publik dhe ndërtimin e institucioneve më efikase.
Megjithatë, është theksuar se efekti i vërtetë i ligjit do të varet nga zbatimi i tij në praktikë, i cili duhet të jetë i vazhdueshëm, i paanshëm dhe pa përzgjedhje të rasteve apo personave.










