E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.
Në një opinion për mediat kosovare të enjten, Prattipati tha se “së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Në opinionin e saj, Prattipati tha se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji dhe citoi të dhënat e Doganës së Kosovës, se vendi ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.
Këto të dhëna tregojnë një rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.
“Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, shkroi ajo.
Prattipati i bëri thirrje Kosovës të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë.









