BORRELL KËRKON ARMËPUSHIM TË MENJËHERSHËM NË GAZË

Rockets are fired toward Israel from the Gaza Strip, Wednesday, Oct. 11, 2023. Israel has launched intense airstrikes in Gaza after the territory's militant rulers carried out an unprecedented attack on Israel Saturday, killing over 1000 people and taking captives. Hundreds of Palestinians have been killed in the airstrikes. (AP Photo/Fatima Shbair)8

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka bërë thirrje të hënën për një armëpushim të menjëhershëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja – në Rripin e Gazës.

“I bashkohem thirrjes së nënpresidentes [amerikane], Kamala Harris, për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë. Pastaj, nuk duhet të ketë pengesë për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit për këtë”, shkroi Borrell në rrjetin social X.

Ai theksoi se është koha që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të veprojë, duke shtuar se “Harris tha me të drejtë se shumë njerëz janë vrarë dhe i bëri thirrje izraelit të lejojë qasje të papenguar humanitare”.

Më herët gjatë ditës, nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, i bëri thirrje Hamasit që të pajtohet për një armëpushim të menjëhershëm gjashtëjavor, ndërkaq i kërkoi me ngulm Izraelit që të bëjë më shumë që të rriten dërgesat e ndihmës në Gazë.

Deklaratat e saj janë ndër më të ashprat të bëra nga ndonjë udhëheqës i lartë i Qeverisë amerikane deri më tani sa i përket luftës mes Izraelit dhe Hamasit, që nisi në tetorin e vitit të kaluar.

“Duke pasur parasysh shkallën e lartë të vuajtjes në Gazë, duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm”, tha Harris gjatë një ngjarje në Selma të Alabamës. “Në tavolinë është një marrëveshje dhe siç kemi thënë, Hamasi duhet të pajtohet me marrëveshjen. Le të arrihet një armëpushim”.

“Njerëzit në Gazë po vdesin nga uria. Kushtet janë çnjerëzore dhe ne duhet të veprojmë… Qeveria izraelite duhet të bëjë më shumë që të rriten ndjeshëm dërgesat për ndihma. Nuk ka arsyetime”, tha ajo.

Një ditë më herët, një delegacion i Hamasit shkoi në Kajro për të marrë pjesë në rundin e fundit të bisedimet për një armëpushim, por është e paqartë nëse është bërë ndonjë përparim në bisedime.

SHARE