Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diçka që nuk është parë qe një shekull. Udhëheqësi republikan, Kevin McCarthy, dështoi në përpjekjen e tij për t’u zgjedhur kryetar – hera e parë që nga viti 1923, që asnjë kandidat republikan apo demokrat nuk u zgjodh që në rundin e parë të votimit në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila ka 435 anëtarë. Ai nuk arriti të zgjidhet kryetar pas tri rundesh votimi, ku 20 ligjvënës konservatorë votuan kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan. Kongresisti nga Kalifornia nuk u votua tri herë radhazi dhe është e paqartë se cila mund të jetë rruga e tij drejt fitores, kur Dhoma e Përfaqësuesve të mblidhet të mërkurën, për të provuar gjithçka nga e para. Ligjvënësit amerikanë do të vazhdojnë të votojnë derisa një kandidat të fitojë shumicën. Ende nuk dihet nëse do të ndryshojë qëndrimi i grupit që e kundërshtoi McCarthyn, apo nëse mund të shfaqet ndonjë kandidat i ri. Por, edhe nëse McCarthy gjen një mënyrë për të fituar, analistët parashikojnë trazira në Dhomën e Përfaqësuesve. Republikanët kanë fituar një shumicë të ngushtë, 222-212, në Dhomën e Përfaqësuesve, pas zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa një vend është momentalisht vakant. McCarthyt, i cili shërben prej 16 vjetësh si ligjvënës nga Kalifornia, do t’i duhet të sigurojë të paktën 218 vota për t’u bërë kryetar. Në rundin e tretë të votimit, 202 republikanë votuan për McCarthyn, pra 16 më pak nga votat që i nevojiten për t’u zgjedhur kryetar. Zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve ndodh përpara se ligjvënësit ta bëjnë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar.