Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Alleksa Beçiq, njoftoi se ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, do t’i propozojë Kuvendit ndryshime ligjore që parashikojnë përfshirjen e detyrueshme të fotografisë së votuesit në kopjen e shtypur të listës zgjedhore.
Sipas Beçiq, fotografia do të vendoset menjëherë pas numrit rendor të votuesit, së bashku me të dhënat e tjera që aktualisht përfshihen në listë.
Ai tha se kjo nismë përbën një hap të ri në reformën zgjedhore, pas propozimeve të mëparshme për pastrimin e listës së votuesve, përditësimin e të dhënave personale dhe kontrollin e vendbanimeve nga institucionet kompetente.
Beçiq iu drejtua edhe diasporës malazeze, duke theksuar se çregjistrimi i vendbanimit nuk nënkupton humbjen e shtetësisë malazeze.
Ai nënvizoi se qëllimi i reformave është krijimi i një liste zgjedhore të saktë, të besueshme dhe të përditësuar, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi.
Propozimet e reja pritet t’i kalojnë Kuvendit dhe komisioneve përkatëse parlamentare për shqyrtim.










