LIDERËT E VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR NËNSHKRUAN 3 MARRËVESHJE PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK RAJONAL

Në kuadër të Procesit të Berlinit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët marrin pjesë në një samit në Gjermani të organizuar nga kancelari Olaf Scholz, kanë nënshkruar tre marrëveshje përmes të cilave synohet jetësimi i tregut të përbashkët rajonal. Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor njoftojnë se liderët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës (BeH) nënshkruan marrëveshje për lëvizjen e lirë me letërnjoftime midis gjashtë vendeve, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve, të gjitha këto bazuar në rregullat e Bashkimit Evropian (BE). Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare synon forcimin e bashkëpunimit midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e reformave, tregun e përbashkët, njohjen reciproke të kualifikimeve profesioneve dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Marrëveshjet gjithashtu synojnë të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin e përshpejtuar ekonomik rajonal.

SHARE