GJUROVIQ: AKSIONIT “STOP INFLACIONIT” DO T’I BASHKOHEN EDHE FARMACITË

Farmacitë do t’i bashkohen edhe një herë aksionit “Stop Inflacionit”, ka paralajmëruar ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Goran Gjuroviq, në seancën e sotme të Qeverisë. Ai tha se aktualisht në rafte janë rreth 200 artikuj me zbritje.

Më parë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit ka përcjellë për mediat një link ku mund të gjinden të gjitha informacionet në lidhje me aksionin “Stop Inflacionit 100+”, i cili synon mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve dhe uljen e inflacionit.

Gjuroviq në seancën e Qeverisë tha se informacionet e para janë inkurajuese.

“Të gjithë zinxhirët dhe shitësit me pakicë kanë ulur çmimet. Një gjë shumë e mirë për të gjithë qytetarët e Malit të Zi është se ky është një aksion i përbashkët ku secili ka hequr dorë diku nga pjesa e tij e diferencës. Ju keni mbi 200 artikuj në fushatën “Stop Inflacionit”. Si herën e kaluar, ka edhe kompani të reja që duan të përfshihen në aksion. Do të përfshihen edhe farmacitë”, ka bërë të ditur Gjuroviq.

Ai është i bindur se deri në fund të këtij viti qytetarët e Malit të Zi do të mund të kursejnë një shumë të konsiderueshme parash.

Kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq ka uruar fillimin e fushatës dhe ka falënderuar të gjithë rrjetet e shitjes me pakicë që kanë marrë pjesë.

“Duhet të jemi realist dhe të thuhet se inflacioni nuk është i diktuar nga Mali i Zi dhe se ai nuk mund ta ndalojë atë, por kjo ndihmon. Qeveria, ekonomia dhe qytetarët gjejnë një gjuhë të përbashkët. Lista e produkteve nuk mund të jepet sepse tregjet duan që të vini dhe të shihni se për të cilët artikuj bëhet fjalë. Po flasim për mbi 200 produkte me zbritje, në rajon janë 20 apo 40”, tha Abazoviq.

SHARE