STUDENTËT IRANIANË PËRLESHEN ME POLICINË NË TEHERAN

Studentët iranianë janë përleshur me forcat e sigurisë në një universitet në Teheran, pas valës së protestave që janë nxitur nga vdekja e një vajze 22-vjeçare teksa ka qenë në mbajtje, kanë raportuar grupe për të drejta të njeriut. Mahsa Amini ka vdekur më 16 shtator, disa ditë pas është ndaluar nga Policia për Moral me supozimet se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë. Vdekja e saj ka nxitur protestat më të mëdha në Iran në tre vjetët e fundit. Shqetësimet janë rritur edhe më shumë për dhunën, pasi në Universitetin Sharif, gjatë natës, zyrtarët policorë janë përleshur me qindra studentë, duke përdorur gaz lotsjellës. “Gra, jetë, liri”, kanë bërtitur studentët, si dhe “studentët preferojnë më shumë vdekjen sesa poshtërimin”, ka raportuar agjencia iraniane e lajmeve Mehr. Qendra për të drejtat e Njeriut në Iran – organizatë me bazë në Nju Jork – ka thënë se është jashtëzakonisht “e shqetësuar nga incizimet që kanë dalë nga protestat afër universitetit, në të cilat shihet shtypje e protestuesve dhe se të ndaluarve po u mbulohet koka me pëlhurë derisa tërhiqen nga protestat”. Agjencia e lajmeve Mehr ka thënë se “Universiteti Sharif i ka lajmëruar studentët që për shkak të zhvillimeve të fundit, ligjëratat të hënën do të mbahen virtualisht”. Prej trazirave që kanë nisur më 16 shtator, dhjetëra protestues janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur. Anëtarë të forcave të sigurisë janë në mesin e të vrarëve në protesta.

SHARE