KAPITULLI 15 DREJT MBYLLJES; SHAHMANOVIQ: DITË E RËNDËSISHME PËR ENERGJETIKËN MALAZEZE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Pozicionin e përditësuar Negociues për Kapitullin 15 (Energjetika), të bashkërenduar me Komisionin Evropian.

Ky hap krijon kushtet që ky kapitull të mbyllet përkohësisht në njërën nga konferencat e ardhshme ndërqeveritare me BE-në, ndërsa mbyllja zyrtare pritet më 19 nëntor në Bruksel.

Ministri i Energjetikës dhe Minierave, Admir Shahmanoviq, e vlerësoi këtë si një ditë me rëndësi të veçantë për sektorin energjetik në vend, duke theksuar se plotësimi i meritave përfundimtare është konfirmim i reformave të realizuara dhe i harmonizimit me standardet evropiane.

Gjithashtu, ai nënvizoi se puna nuk përfundon këtu, por hyn në një fazë ku përfitimet duhet t’i ndiejnë drejtpërdrejt qytetarët dhe ekonomia përmes një sistemi më të sigurt, më modern dhe të hapur për investime.

Në periudhën në vijim, ministria do të fokusohet në rezervat strategjike të derivateve të naftës, integrimin e tregut të energjisë elektrike, energjinë e ripërtëritshme dhe efiçencën energjetike.

SHARE