Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takim tri partive opozitare në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje u ka përcjellë ftesat Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti për takim.
Në letrën që kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar Kurtit, thuhet se në takimin e parë në korrik, është bërë i qartë qëndrimi i partisë se do të qëndrojë në opozitë.
“Presim nga ju që në përputhje me përgjegjësitë që burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, thuhet në letrën e Hamzës, që u publikua nga mediat vendore në Kosovë.
Aleanca e udhëhequr nga Ardian Gjini, po ashtu e refuzoi takimin, sikurse kishte vepruar edhe në korrik.
Partia e Gjinit, në letrën që i ka dërguar Kurtit, ka kujtuar se kjo parti veçse ka vendosur gjashtë kushte në këmbim të votës për krijimin e institucioneve, duke shtuar se nuk është e interesuar që të bëhet pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.
“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, thuhet në letrën që Gjini i ka kthyer Kurtit më 3 gusht.
Ndërsa, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë nesër një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.









