MALI I ZI NËNSHKRUAN MARRËVESHJEN ME KISHËN ORTODOKSE SERBE, GJUKANOVIQ PARALAJMËRON MOSBESIM NDAJ ABAZOVIQIT

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) Porfirije dhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq nënshkruan sot Marrëveshjen Themelore në Villa Goricë. “Marrëveshja themelore është nënshkruar. Një çështje e rëndësishme është vënë ad acta. Ne do të vazhdojmë, duke u fokusuar në një standard më të mirë të jetesës për qytetarët”, ka shkruar Abazoviq në Twitter pas nënshkrimit. Pas nënshkrimit, kryeministri Abazoviq tha se një çështjeje të rëndësishme i është vënë pikë. “Është nder dhe kënaqësi që më është dhënë mundësia e pazakontë për të nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe për ta mbyllur këtë çështje në një mënyrë shumë të bukur, të përshtatshme dhe dinjitoze”, deklaroi Abazoviq. Ndërkaq, patriarku Porfirije ka shkruar “Lavdi Zotit” në llogarinë e tij në Instagram, së bashku me njoftimin se ka nënshkruar Marrëveshjen Themelore. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) e Milo Gjukanoviqit, e cila njoftoi se sot do të ndërmarrë nismën për mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit. “Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftimin e PDS-së.

SHARE