Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar raportin vjetor për Kosovën, në të cilin përsëritet se viti 2025 ishte një vit i humbur për vendin, ndërsa tërhiqet vërejtja se edhe muajt e vitit 2026 po rrezikohen për shkak të krizës politike.
Këto humbje, sipas dokumentit, do të rezultojnë edhe me humbje të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes i BE-së, pasi ekziston frika se Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme.
Autori i dokumentit, eurodeputeti, njëherësh raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, ka vlerësuar se 18 muajt e fundit kanë qenë të vështirë për Kosovën.
“Ngërçi politik ka një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen e vendit. Është e rëndësishme që Kosova të qëndrojë në rrugën evropiane dhe të ecë përpara me integrimin”, ka deklaruar Terras pas miratimit të dokumentit.
Ai ka theksuar se raporti i miratuar ofron një vlerësim objektiv dhe të drejtë të situatës në Kosovë.
“Ne theksojmë çështjet që lidhen me lirinë e medias, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu theksojmë zhvillimet pozitive – miratimin e vendimeve të nevojshme për Planin e Rritjes nga Kuvendi i Kosovës dhe, natyrisht, heqjen e masave të Komisionit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë lajme shumë të mira”, ka shtuar eurodeputeti Terras.
Në të ashtuquajturën deklaratë shpjeguese, të cilën Terras ia ka bashkëngjitur dokumentit zyrtar në formë aneksi, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian vlerëson se zgjedhjet e vitit 2025, si ato parlamentare ashtu edhe ato lokale, janë zhvilluar në mënyrë të rregullt.
“Megjithatë, procesi normal politik është cenuar thellësisht”, ka vlerësuar Terras.
Ai, para votimit të raportit, tha se shpreson Kosova pas këtyre zgjedhjeve do të dalë nga qorrsokaku politik. Përmes këtij dokumenti shprehet mbështetje e fuqishme për synimet e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, shprehet keqardhje për ngërçin politik dhe, siç u tha, polarizimin që po e shoqërojnë vendin, si dhe për proceset e shumta zgjedhore të viteve të fundit.
Në raport mbështetet, mes tjerash, aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat dhe u bëhet thirrje shteteve anëtare që, pa vonesa të panevojshme, ta mandatojnë Komisionin Evropian për përpilimin e pyetësorit. Këshilli i Bashkimit Evropian, sipas raportit, ftohet, të veprojë me shpejtësi dhe t’ia japë Kosovës statusin e kandidatit, pasi të jenë përmbushur kriteret përkatëse.
Po ashtu, u bëhet thirrje pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian – Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Qipros – që ta njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të mundësohet avancimi i barabartë i Kosovës me shtetet e tjera kandidate.









