ZELENSKY NË KUVENDIN SHQIPTAR: MBËSHTETJA JUAJ MË KUJTON NËNË TEREZËN SHQIPTARE SI SIMBOL I HUMANIZMIT

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelenksy ka qenë i pranishëm ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, me anë të një video konference, ku ka shprehur situatën aktuale të Ukrainës. Krimet në Ukrainë janë më të tmerrshme dhe më mizore se në Luftën e Dytë Botërore u shpreh Zelensky, i cili nuk kishte shpresë që Rusia do të ndalojë sulmet ndaj tyre. Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se përgëzon dhe falenderon të gjithë që mbështesin Ukrainën pa e menduar dy herë se në cilin krah të pozicionohen. Zelensky falenderoi Shqipërinë për mbështetjen dhe tha se ky qëndrim i popullit shqiptar i kujton nënë Terezën shqiptare që është kthyer në një simbol humanizmi në mbarë botën. Ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë, President Zelensky kërkoi nga Shqipëria, të mbyllë portet për Rusinë dhe të mos lejojë turistët rusë. Kryeministri Edi Rama ka pasuar fjalën pas presidentit ukrainas Volodymir Zelensky ditën e sotme në Kuvend ku është shprehur se edhe pse parlamenti shqiptar nuk shquhet për shpirtin e dakordësisë mes tyre, në këtë rast është plotësisht dakord për mbështetjen ndaj Ukrainës. Rama u shpreh se mundësitë e Shqipërisë për të ndihmuar Ukrainën janë plotësisht modeste por megjithatë, Shqipëria edhe pse jo materialisht do e mbështesë Ukrainën me zërin e saj. Ai tha se Shqipëria do të jetë e pranishme me 8 maj në konferencën e donatorëve ku do të japë mbështetjen modeste. Që prej nisjes së luftës dy muaj më parë presidenti Zelenki ka folur në një seancë të posaçme për Këshillin e Sigurimit të OKB-s si dhe në parlamentet e Anglisë, Norvegjisë, Portugalisë, Finlandës, Greqisë,Sllovakisë, Irlandës, Rumanisë, Qipros, Lituanisë dhe Spanjës.

SHARE