GAZETARËT PA KUFIJ: SHQIPËRIA PËSON RËNIE, KOSOVA PËRMIRËSIM NË TREGUESIN E LIRISË SË SHTYPIT

Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Por, sipas treguesit që u publikua të martën, Shqipëria ka shënuar rënie, ndërsa Kosova ka shënuar përparim krahasuar me raportin e vitit të kaluar. Treguesi i klasifikon vendet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit. Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak kur renditej ne vendin e 83-të. Në raport thuhet se ndërsa pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullimi partiak i medias, integriteti fizik i gazetarëve cenohet nga krimi i organizuar, nga dështimi i shtetit për t’i mbrojtur ata dhe madje edhe nga dhuna policore. Kosova ndërkaq ka shënuar një ngritje prej 17 vendesh. Treguesi i Gazetarëve pa Kufij e radhiti atë sivjet në vendin e 61-të ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 78-të. Në pjesën për Kosovën treguesi rithekson ndarjet përgjatë vijave etnike ndërsa gazetarët janë rregullisht në shënjestër të sulmeve politike. Mediat në gjuhën serbe ankohen për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën serbe. Treguesi tërheq vërejtjen se kohët e fundit, gazetarët janë vënë gjithnjë e më shumë në shënjestër të padive SLAPP, të iniciuara nga grupet e biznesit dhe politikanët. Nga vendet tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim për 33 vende. Ajo radhitet sivjet në vendin e 57-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 90-të. Serbia radhitet në vendin e 79-të, ndërsa një vit me parë ishte e 93-ta. Mali i Zi është në vendin e 63-të ndryshe nga treguesi i vitit të kaluar që e kishte renditur në vendin e 104-të. Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar rënie duke u radhitur në vendin e 67-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58-të.

SHARE