SHKUP, KANDIDATËT PËR PRESIDENT PREMTOJNË ZGJEDHJE TË DREJTA / NUK I BESOJNË NJËRI-TJETRIT

Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut firmosën në Shkup kodeksin për zgjedhje të drejta dhe demokratike, që do të mbahen në dy raunde zgjedhore: më 24 prill dhe 8 maj të këtij viti.

Në dokumentin që është nënshkruar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), theksohet se “pjesëmarrësit në zgjedhje angazhohen të respektojnë ligjet, rregulloret dhe sundimin e ligjit në procesin zgjedhor, dhe se do të mënjanojnë diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes”. Kodeksi u firmos nga gjashtë kandidatë, Stevo Pendarovski, i nominuari i Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e VMRO DPMNE-së opozitare, Bujar Osmani, kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arben Taravari, kandidat i opozitës shqiptare, Biljana Vankovska e partisë “E Majta”, dhe Maksim Dimitrievski nga partia “Për Maqedoninë”.

Por kandidati i shtatë, Stevçe Jakimovki, ka refuzuar që të nënshkruajë me pretendimin se  “nuk beson që kandidatët tjerë do të respektojnë atë për të cilën kanë rënë dakord”.  ”Rregullat zgjedhore favorizojnë vetëm kandidatë të caktuar duke pasur në dipozicion fonde të shumta”, ka deklaruar Jakimovski që lëshoi dhe akuza ndaj KSHZ-së për anulimin e një debati të paralajmëruar nga presidenti aktual, Stevo Pendarovski.

Një pjesë e kandidatëve shprehen se besojnë në një fushatë pozitive, por disa të tjerë ndajnë bindjen se në praktikë do të tregohet e kundërta. Fushata për zgjedhjet presidenciale fillon zyrtarisht të enjten, më 4 prill, dhe do të zgjasë 20 ditë.

SHARE