MBI 94 PËR QIND E TURISTËVE DO TA REKOMANDONIN MALIN E ZI SI DESTINACION TURISTIK

Më shumë se 94 për qind e turistëve do të rekomandonin Malin e Zi si destinacion turistik dhe të ftuarit e vlerësojnë cilësinë e ofertës si shumë të mirë, sipas rezultateve të hulumtimit të paraqitur nga Organizata Kombëtare e Turizmit.

Drejtoresha e Organizatës Kombëtare të Turizmit, Ana Tripkoviq Markoviq, tha se Anketa për qëndrimet dhe konsumin e turistëve në Mal të Zi /Guest Survey 2023/ është një mjet i vlefshëm që ofron udhëzime për përmirësimin e mëtejshëm të ofertës turistike.

Rezultatet e hulumtimit, i cili u krye prej 4,34 mijë të anketuarish, treguan se turistët e vlerësuan cilësinë e ofertës si shumë të mirë, pra katër, dhe 94,4 për qind e tyre do të rekomandonin Malin e Zi si destinacion turistik.

Hulumtimi, i cili është kryer në periudhën nga korriku deri në fund të tetorit të vitit të kaluar, është kryer nga kompania Ipsos Strategic Marketing.

Hulumtimi mbuloi një gamë të gjerë parametrash duke përfshirë profilin e turistëve, motivet e mbërritjes, preferencat dhe konsumin e tyre, kënaqësinë me shërbimet dhe perceptimin e destinacionit në komunat Budva, Tivar, Kotorr, Herceg Novi, Tivat, Ulqin, Cetinë, Podgoricë, Zhablak dhe Kollashin.

SHARE