GJYQI NDAJ ISH-KRERËVE TË UÇK NË HAGË / DEKLAROHEN THAÇI, VESELI, SELIMI DHE KRASNIQI: JEMI TË PAFAJSHËM

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që ngarkohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se është plotësisht i pafajshëm.

“E kuptoj aktakuzën e ndryshuar, jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.

Edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli është deklaruar i pafajshëm për akuzat që ngarkohet nga ZPS-ja, ndonëse shprehu edhe pakënaqësinë e tij për vonesën e këtij procesi gjyqësor.

“E shprehi pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dyvjeçare e gjysmë. Megjithatë, iu falënderoj, jam tërësisht i pafajshëm”, është shprehur Veseli.

I pafajshëm për të gjitha akuzat u deklarua edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. “Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, u shpreh ai.

Ndërsa, derisa deklaroi pafajësinë e tij, Jakup Krasniqi tha se e kupton aktakuzën me ndryshime që rëndon ndaj tij, por që nuk pajtohet me të. Krasniqi deklaroi para trupit gjykues se nuk mban përgjegjësi për të cilën flet aktakuza.

“Unë e kam të vështirë që ta kuptoj akuzën dhe mënyrën se si është përpiluar kjo akuzë, unë nuk kam asnjë lidhje me asnjë nga pikat që i lexoj prokurorja para pak kohe… Aktakuzën e kuptoj, kështu siç është nuk pajtohem me të pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza… Jam tërësisht i pafajshëm”, u shpreh ai.

Zyra e Prokurorit pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, nuk morën masat e nevojshme për parandalimin e veprave penale.

E derisa u mbajt seanca gjyqësore, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës mbajtën protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.

Mbrëmë, mijëra qytetarë në Kosovë iu bashkuan thirrjes për marshin e solidarizimit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

SHARE