GJELOSHAJ: KUFIRI I TË MIRAVE DETARE TË TRAJTOHET SI ÇËSHTJE E TË DREJTAVE TË PAKICAVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe njëherësh lideri i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, ka kërkuar që çështja e të Mirave Detare, veçanërisht kufiri i tyre në Ulqin, të trajtohet jo vetëm si çështje ekonomike, por edhe si çështje e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Evropian.

Gjeloshaj tha se krahas ndryshimeve në Ligjin për të Mirat Detare, duhet të zgjidhen edhe çështjet që lidhen me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

Ai bëri të ditur se së bashku me ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj, po përgatisin një sërë amendamentesh që synojnë decentralizim më të madh dhe garanci konkrete ligjore për komunitetet pakicë.

Sipas tij, këto çështje duhet të zgjidhen në javët e ardhshme dhe ai nuk do të heqë dorë nga kërkesat për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë.

Gjeloshaj paralajmëroi gjithashtu se përmes ambasadave të vendeve anëtare të BE-së në Mal të Zi do t’u dërgohet qeverive të tyre një letër ku do të paraqitet gjendja e të drejtave të pakicave në vend, rastet konkrete të diskriminimit dhe përgjegjësit politikë e institucionalë që, sipas tij, pengojnë zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Ai theksoi se qëllimi nuk është ngadalësimi i rrugës evropiane të Malit të Zi, por përkundrazi përshpejtimi i saj, duke garantuar që standardet evropiane të zbatohen edhe në fushën e të drejtave të pakicave.

“Standardet evropiane që kemi arritur në ekonomi duhet të zbatohen me të njëjtën forcë edhe në të drejtat e pakicave”, tha Gjeloshaj, duke kërkuar zgjidhjen e çështjeve të hapura përmes institucioneve dhe në përputhje me standardet evropiane.

SHARE