BE-ja SHPRESON SE NGJARJET NË VERI NUK DO TË NDIKOJNË NË TAKIMIN BISLIMI-PETKOVIQ

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga vlerësimet të cilat mund ta prishin atmosferën në dialog, dhe thotë se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit, të cilët do të takohen të martën në Bruksel.

Kështu tha sot gjatë një konference për media zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen më 4 prill në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kanë thënë zyrtarët evropianë.

Stano tha se presin nga të dyja palët “që të kontribuojnë në krijimin dhe mbajtjen e një atmosfere e cila ndihmon normalizimin dhe pajtimin, dhe nevojën për implementimin e obligimeve që palët kanë marrë mbi vete”, dhe shtoi se “palët janë pajtuar që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili do të kishte efekt negativ”.

SHARE