Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministria e Punëve të Brendshme ka angazhuar të gjithë flotën e disponueshme të dronëve për monitorimin e territorit të Malit të Zi, gjatë ditës dhe natës, me përdorimin e kamerave termovizive.
Ministri Danillo Sharanoviq tha se qëllimi është zbulimi në kohë i vatrave të reja të zjarrit, ndjekja e përhapjes së tyre dhe identifikimi i personave që mund të jenë të përfshirë në shkaktimin e zjarreve.
Autoritetet kanë shtuar masat parandaluese dhe operacionale për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar nga zjarret.
Sharanoviq paralajmëroi se ndaj personave që kryejnë veprime të paligjshme dhe rrezikojnë jetën e njerëzve apo pronën do të ndërmerren masa të rrepta ligjore.
Ministri u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë ndalimin e ndezjes së zjarreve në ambiente të hapura, të mos hedhin bishta cigaresh apo materiale të tjera të ndezshme dhe të raportojnë çdo sjellje të dyshimtë që mund të lidhet me shkaktimin e zjarreve.
Policia, në bashkëpunim me Drejtoratin për Mbrojtje dhe Shpëtim, shërbimet lokale dhe institucionet e tjera përgjegjëse, do të vazhdojë monitorimin e terrenit dhe masat parandaluese ndaj zjarreve.










