ABAZOVIQ: PROCESET POLITIKE NË MAL, MATURIM I DEMOKRACISË DHE AFRIM ME ANËTARËSIMIN NË BE

Proceset politike në Mal të Zi nënkuptojnë maturimin e demokracisë dhe afrimin me qëllimin prioritar – anëtarësimin në Bashkimin Evropian, tha sot kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Romë.

Kryeministri Abazoviq ndodhet në Itali me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, i cili po pret një takim me krerët e diplomacisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilin marrin pjesë edhe Komisioneri Evropian Oliver Varheli dhe ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë Tobias Bilström.

Qeveria njoftoi se Abazoviq, gjatë prezantimit të tij në seancat në kuadër të takimit theksoi nevojën për veprim më të fuqishëm në adresimin e reformat në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe qeverisjes së mirë si një domosdoshmëri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Fakti që procesi i anëtarësimit në BE mbështetet në meritat dhe progresin objektiv të secilit prej shteteve kandidate është inkurajues”, theksoi Abazoviq.

Abazoviq po ashtu iu referua edhe ngjarjeve të vazhdueshme gjeopolitike që formësojnë skenën ndërkombëtare dhe kujtoi se agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës çoi në aplikimin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për anëtarësim në BE.

“Kjo ishte gjithashtu një kujtesë e politikës së zgjerimit të BE-së dhe e punës së papërfunduar me vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.

Gjatë seancës së dytë, në temën e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, gjegjësisht krijimit të një modeli për forcimin e përbashkët të bashkëpunimit, kryeministri Abazoviq rikujtoi rëndësinë e Samitit të Procesit të Berlinit, të mbajtur vitin e kaluar në Berlin, i cili rezultoi në tre marrëveshje rajonale për mobilitetin.

Siç tha ai, “ishte një sinjal i veçantë i përkushtimit të ripërtërirë të Ballkanit Perëndimor për integrimin evropian dhe krijimi i Tregut të Përbashkët Rajonal përmes këtyre marrëveshjeve është baza për integrimin e ardhshëm të rajonit në tregun e vetëm të BE-së”.

SHARE