Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, vendosi një pezullim 15-ditor nga seancat parlamentare për deputetët e opozitës që prishën rendin dhe bllokuan seancat.
Arsyetimin e Mandiq e përcjellim në mënyrë të plotë:
“Rregullat që ne si qeveri dhe opozitë i kemi vendosur bashkë shumë kohë më parë dhe që përcaktojnë shtëpinë tonë legjislative janë mbi ju dhe mbi mua. Ju e dini se unë, si anëtarët e tjerë të shumicës parlamentare, kam folur pafund me ju, por rregullat më detyrojnë të bëj diçka që nuk është në natyrën time dhe që si koleg deputet nuk do të doja ta bëja kurrë. Ju e dini që pjesën më të madhe të karrierës time politike e kam kaluar në opozitë dhe se kam gjithmonë një ndjeshmëri të veçantë kur bëhet fjalë për këtë. Detyrimet dhe detyrat që kam ndaj Kuvendit tonë si institucion dhe qytetarëve që përfaqëson, fatkeqësisht më pengojnë të tregoj durim të pafund ndaj këmbënguljes dhe intolerancës suaj, edhe pse ju kam bërë thirrje të panumërta që t’i ktheheni dialogut dhe marrëveshjes, ju i keni anashkaluar, sepse detyrimet që ka shteti ndaj të gjithë qytetarëve nuk mund të presin më. Në të gjitha vendet e qytetëruara dhe demokratike egzistojnë masa për të ruajtur rendin në seancat parlamentare, sepse të gjithë qytetarët e vendit tonë varen nga funksionimi i mirë i tij, sidomos kur bëhet fjalë për miratimin e buxhetit. Për të gjitha që sapo përmënda më sipër, në përputhje me nenet 109 dhe 110a të Rregullores së Kuvendit të Malit të Zi, për shkak të prishjes së rendit në seancën e Kuvendit të Malit të Zi më 21 janar 2025 dhe bllokimit të vazhdueshëm të punës së dhomës legjislative, shqiptoj masën e pezullimit nga seanca, e cila do të zbatohet për 15 ditët e ardhshme të seancës së Kuvendit nga dita e hyrjes në fuqi të kësaj mase. Me shpresën se së shpejti do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe përparimin në rrugën tonë evropiane, ju përshëndes ngrohtësisht”.