Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, do të jetë nikoqir i Samitit të Liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 tetor në Porto Montenegro në Tivat.
Siç njofton Kabineti i Presidentit, gjatë Samitit do të mbahet seancë plenare, ku do të diskutohen çështjet e përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Pas seancës plenare do të pasojë një konferencë për media në të cilën do të flasin presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq, presidentja e Republikës së Sllovenisë Natasha Pirc Musar dhe presidenti i Republikës së Kroacisë Zoran Millanoviq.
“Samiti i ardhshëm i liderëve të Procesit Brdo-Brijuni është një mundësi për të konfirmuar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal, si dhe për të shprehur nevojën për intensifikimin e dialogut strategjik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky proces është një nismë e përbashkët slloveno-kroate e nisur në vitin 2010, e krijuar për të forcuar besimin e ndërsjellë dhe për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Anëtarët e nismës përfshijnë Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën”, thuhet në një deklaratë të Kabinetit të Presidentit.