Sot në Podgoricë fillon vaksinimi kundër gripit sezonal. Qytetarët të cilët janë të rekomanduar për tu vaksinuar duhet të kontaktojnë në Qendrën Shëndetësore në Podgoricë te mjeku i zgjedhur tek të cili janë të regjistruar dhe ta caktojnë kohën për vaksinim.
Nga Shtëpia e Shëndetit të Podgoricës, sqaruan se vaksinat nuk duhet ti përdorin përsonat që kanë temperaturë të ngritur apo ndonjë sëmundje akute. “Vaksinimi rekomandohet për fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh me sëmundje kronike të frymëmarrjes, të sistemit kardiovaskularë dhe të veshkave, personave që janë duke u trajtuar me çrregullime metabolike (si diabeti) dhe funksione të reduktuara të sistemit imunitar, përfshirë këtu personat me HIV / AIDS , si dhe njerëzit që kanë organe të transplantuara”, kumtuan nga Qendra Shëndetësore e Podgoricës.
Sipas tyre, vaksinimi rekomandohet për personat më të vjetër nga mosha 65 vjeçare, të sëmurëve kronikë, që jetojnë në strehime kolektive, punonjësve shëndetësorë dhe bashkëpunëtorëve.
Vaksinimi kundër gripit, siç kumtohet, është masa e vetme parandaluese e veçantë dhe masa më efektive shëndetësore kur bëhet fjalë për parandalimin e sëmundjeve dhe komplikimeve të gripit.
“Apelojmë te të gjithë qytetarët që kanë indikacione të tilla që sa më shpejt që të jetë e mundur të sanksionohen dhe në këtë mënyrë të mbrojnë veten dhe kontribuojnë në parandalimin e përhapjes së virusit”, thuhet në komunikatë.