AIVO ORAV MERR DETYRËN SI AMBASADOR I RI I BE-së NË KOSOVË

Aivo Orav e ka marrë të hënën detyrën e ambasadorit të ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke e pasuar çekun Tomas Szunyog, i cili e mbajti këtë postë nga viti 2020, njoftoi Zyra e BE-së.

Oravo, një diplomat estonez me përvojë rreth 30-vjeçare në diplomaci evropiane dhe nacionale, do të ketë mandat fillestar prej dy vjetësh.

Në të kaluarën, ai ka shërbyer si përfaqësues i përhershëm i Estonisë në BE dhe si shef i delegacioneve të BE-së në Mal të zi dhe Maqedoni të Veriut.

Orav tha se ndien kënaqësi dhe përgjegjësi në marrjen e postit të shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Zotohem se do të punoj krah për krah me partnerët vendës dhe ndërkombëtarë të BE-së në Kosovë, për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike, do ta konsolidoj pozitën e BE-së si donatori, partneri tregtar dhe investitori më i madh i Kosovës, si dhe do ta mbështes rrugën e evropiane të Kosovës dhe reformat që ndërlidhen me BE-në”, tha Orav.

Duke e pasur parasysh gjendjen gjeopolitike, Orav u zotua se do të koordinohet me të gjithë të pranishmit te BE-së në Kosovë, përfshirë EULEX-in, “për ta promovuar një Kosovë të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe shumetnike”, thuhet në njoftim.

“Gjatë mandatit tim, vizioni im është që Kosova të përparojë më mënyrë vendimtare në rrugën e saj drejt BE-së, gjë që do të sjellë benefite të qëndruehsme për popullin e saj”, tha ai.

Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për të kontribuuar në një dinamikë të re në lidhjet mes Kosovës dhe BE-së, e cila mund ta bëjë të mundur rifillimin e ndihmës financiare të BE-së për Kosovën.

SHARE